Mesazhi surprizë që përloti binjakët, Donaldi ishte autori

“Më lër të flas” bëri bashkë këtë sezon vëllezërit Romeo dhe Donald Veshaj. Sot, ata mbyllën me sukses emisionin që transmetua për 12 javë çdo të premte në Top Channel dhe Donaldi kishte menduar një surprizë që përloti binjakun e tij.

Në një videoklip ku tregoheshin momentet e bukura ku janë gjithmonë bashkë, që kur ishin fëmijë, Donaldi i foli me fjalë zemre Romeos, të cilin e falënderoi për mbështetjen e pakushtëzuar që i ka dhënë.

“Gjysma ime, e di që zërin e kam njësoj si ty. Kemi ardhur në këtë jetë bashkë dhe vazhdojmë të jemi çdo ditë të pandarë, sepse vetëm bashkë jemi të plotë.

Kemi qenë gjithmonë aty për njëri-tjetrin, ndoshta ti ke qenë më shumë se unë. Që kur ishim të vegjël, ti ishe ai që më mbroje, që më falje çdo gabim dhe më dhuroje çdo gjë që ishte jotja.

Nëse do mundeshe, e di që je i gatshëm të më dhurosh edhe shpirtin. Më kujtohet kur ishim të vegjël… ndoshta nuk kishim aq veshje apo lodra sa do të donim, por kishim ëndrra. Kishim ëndrra se një ditë do të rriteshim dhe së bashku ato ëndrra do t’i bënim realitet.

Ti ke qenë ai që je hedhur i pari, doje që ne të kishim çdo të mirë. Nuk ke menduar asnjëherë për veten. Nuk ke dashur asgjë për veten. Mjaftonte që ne të ishim mirë. Kemi pothuajse 27 vite jetë dhe ti je i vetmi që ke bërë çdo gjë për mua. Ti ke qenë gjithmonë aty për mua, në çdo lot, vuajtje, vështirësi që kam kaluar. Më ke dhënë forcë, më ke ofriar mbështetjen tënde gjithmonë, prandaj sot jam unë që dua të bëj diçka për ty. E di që nuk është asgjë para asaj që ke bërë për mua, por dua të them, nëpërmjet këtij klipi, që unë do të jem gjithmonë aty për ty.

Gjithmonë bashkë, asnjëherë vetëm!”

Likes:
0 0
Views:
92
Article Categories:
Showbiz

Comments are closed.